5.9 C
Berne
samedi 21/11/2026

Kurti i kërkon Ukrainës njohjen e Kosovës: “Kosova nuk është precedenti i Putinit”

Prishtina, 20 Nentor -Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke kundërshtuar argumentet se një vendim i tillë mund të shërbejë si precedent për pretendimet territoriale të Rusisë në Ukrainë.

Në një editorial të publikuar në gazetën ukrainase Kyiv Post, Kurti ka argumentuar se pavarësia e Kosovës nuk mund të barazohet me aneksimin e Krimesë nga Rusia, pasi, sipas tij, dy rastet kanë rrethana dhe baza juridike të ndryshme.

Kurti iu referua deklaratave të Zelenskyt të bëra më 8 gusht në Beograd, ku presidenti ukrainas kishte përsëritur se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar, duke theksuar respektimin e integritetit territorial dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë së Kosovës e ka cilësuar domethënëse faktin që deklarata u bë në Serbi, një shtet që, ndonëse ka mbështetur rezolutat e Kombeve të Bashkuara në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, nuk është bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën, jo si një nder për ne, por sepse kjo do të forconte vetë rendin ndërkombëtar që Ukraina ka mbrojtur prej vitesh”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, njohja e Kosovës do të riafirmonte parimin se kufijtë nuk mund të ndryshohen përmes forcës dhe se shtetet më të mëdha nuk mund t’ua mohojnë të ardhmen shteteve më të vogla.

Kurti kritikon afrimin e Kievit me Beogradin

Në editorialin e tij, Kurti ka vënë në pikëpyetje afrimin diplomatik të Ukrainës me Serbinë, duke kujtuar mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022.

Ai ka përmendur dënimin e agresionit rus nga Kosova, përafrimin me sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ofrimin e strehimit për gazetarët ukrainas, si dhe ndihmën dhe trajnimet ushtarake.

Kurti ka theksuar se Kosova dhe Ukraina kanë përvoja të ngjashme përballë pretendimeve territoriale të fqinjëve të tyre, të cilat, sipas tij, mbështeten në interpretime historike për të justifikuar pretendimet e sotme.

Ai ka argumentuar se Kosova dhe Ukraina kanë marrë mbështetje ndërkombëtare në momente të ndryshme, ndërsa ka vënë në dukje atë që e ka cilësuar si një lëvizje kontradiktore në raportet diplomatike të Kievit me Beogradin dhe Moskën.

Krimea dhe Kosova: Pse Kurti e kundërshton krahasimin?

Një pjesë e rëndësishme e editorialit i kushtohet pretendimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014 kishte përdorur rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e Rusisë në gadishullin ukrainas.

Putin kishte argumentuar se Perëndimi krijoi një precedent me mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe se banorët e Krimesë po ushtronin të njëjtën të drejtë.

Kurti e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke thënë se referimi i Putinit ndaj Kosovës nuk synon mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, por diskreditimin e vendeve perëndimore.

“Kosova nuk është precedenti i Putinit”, ka theksuar kryeministri, duke shtuar se pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamenduar.

Ndërkohë, Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke u mbështetur në parimin e integritetit territorial dhe në shqetësimin se Rusia mund ta përdorë një njohje të tillë për të legjitimuar pretendimet e saj ndaj territoreve të pushtuara ukrainase.

Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për njohjen e Kosovës

Debati për njohjen e Kosovës është i pranishëm edhe brenda institucioneve ukrainase.

Oleksandr Merezhko, kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në parlamentin e Ukrainës, ka deklaruar më herët për Radio Evropa e Lirë se në Ukrainë ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje, por vendimi përfundimtar i takon presidentit Zelensky.

Merezhko ka përmendur tri argumentet kryesore që përdoren kundër njohjes së Kosovës: frikën se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë rast si precedent për territoret e pushtuara, mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe çështjen e municioneve serbe që përfundojnë në Ukrainë.

Megjithatë, ai ka shprehur personalisht skepticizëm ndaj këtyre argumenteve, duke vlerësuar se njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Përmes editorialit në Kyiv Post, Kurti ka rikthyer në vëmendje çështjen e njohjes së Kosovës nga Ukraina, duke kërkuar që qëndrimi i Kievit të rishikohet në dritën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të parimeve që vetë Ukraina thotë se po mbron në luftën kundër agresionit rus.

Derniers articles