Bardhyl Mahmuti
(Politolog)
Përqendrimi mediatik te dhuna që karakterizon protestat e rinjve në Francë, Itali, Spanjë, Portugali dhe Shqipëri pamundëson të analizohen me gjakftohtësi kërkesat e ligjshme, metodat që përdoren për realizimin e tyre dhe ndikimet e huaja për t’u vënë zjarrin këtyre vendeve.
Nga analiza të shumta të publikuara si raporte zyrtare të BE-së dhe hulumtime të organizatave të pavarura del qartë se pakënaqësitë e shtresave të ndryshme në këto vende shfrytëzohen nga Rusia si “karburant për të destabilizuar Europën”.
Përtej dallimeve që mund të kenë për çështje të tjera, atdhetarët e mirëfilltë janë të brengosur për dhunën që ka përfshirë Shqipërinë. Pa marrë parasysh nëse e duan, e urrejnë apo janë indiferentë ndaj pushtetit të Edi Ramës, nuk besoj të ketë ndonjë atdhetar që mbështet djegien dhe dhunën mes nesh.
Mirëpo është për t’u habitur heshtja ndaj rrezikut që i kanoset Kosovës nga dhuna vëllavrasëse. Pa dashur të gjykoj rreth motiveve të personit që ka bërë ftesë publike që më 1 nëntor të protestohet në Prishtinë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti, askush nuk mund të kontrollojë ndërhyrjen e qarqeve ruso-serbe për t’i vënë zjarrin Kosovës. Prandaj ftoj të gjithë miqtë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, që të parandalojnë rrezikun që na ka kanoset si komb dhe t’u thuhet JO protestave që mund të kenë pasoja vëllavrasëse.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet bashkimi i të gjitha forcave politike dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!
