18.8 C
Berne
mardi 29/09/2026

Edith Harxhi, diplomatja e parë shqiptare që mbrojti UÇK-në në OKB. Propagandës së Beogradit iu përgjigj duke i thënë ministrit serb: “Mbylle gojën, mos gënje!”

Gjenevë, 29 shtator –Edith Harxhi ishte diplomatja e parë shqiptare e cila, në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në mars të vitit 2011, ngriti zërin kundër propagandës serbe. Diplomatja shqiptare i kishte thënë redaktorit të gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, Nefail Maliqit, të vetmit gazetar shqiptar në OKB, se diplomati serb Jeremić në Gjenevë nuk foli për të drejtat e njeriut, por u mor me propagandë, siç kishte shpifur Beogradi për të ashtuquajturën «shtëpi e verdhë» në Shqipëri?!

Ajo ka replikuar me ministrin serb, duke thënë se “qeveria shqiptare dhe institucionet tona janë të gatshme të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për t’u kontribuar hetimeve për të gjitha llojet e krimeve, megjithëse, para këtyre kërkesave të palës serbe dhe Dick Marty-t, TPI, bashkë me EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në rajon, kanë zhvilluar hetime, të cilat, pas më shumë se një dekade të plotë aktivitetesh dhe hetimesh, deri më tani nuk kanë gjetur fakte për të dëshmuar atë që është thënë në raportin e Dick Marty-t apo në akuzat serbe”.

Diplomatja Edith Harxhi, gazetarit shqiptar Nefail Maliqi në OKB: Jeremić në Gjenevë nuk foli për të drejtat e njeriut, por u mor me propagandë!..

Raporti i deputetit zviceran Dick Marty ka sunduar debatet mes ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremić, dhe zëvendësministres së Jashtme shqiptare, Edith Harxhi, në sesionin e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Zëvendësministrja e Jashtme shqiptare, Edith Harxhi, tha se pala shqiptare e votoi vetë rezolutën e Parlamentit Evropian dhe është e hapur për hetime, për t’i dhënë fund kësaj shpifjeje.

“Pas 20 vitesh nga rënia e regjimit komunist, vendi është në rrugë të mbarë drejt një shoqërie demokratike, natyrisht me respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Edhe Kushtetuta e vendit tonë nis me këtë parim për lirinë dhe respektimin e të drejtave fundamentale të njeriut në shoqërinë tonë dhe shprehjen e lirë të mediave. Po ashtu, përparësi i është kushtuar edhe respektimit të të drejtave të grave dhe përfshirjes së tyre sa më shumë në administratë dhe në poste kyçe në qeverinë shqiptare”, ka nënvizuar znj. Harxhi, përcjell gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

Në vazhdim të fjalimit të saj, zëvendësshefja e diplomacisë shqiptare, znj. Harxhi, duke iu përgjigjur fjalimit të ministrit serb rreth Kosovës dhe shqiptarëve, tha se “para se të akuzohet dikush pa fakte, apo nëse dikush në këtë sallë kërkon pajtim rajonal, fillimisht ata duhet ta pranojnë fajin e pastaj të kërkojnë falje publike për krimet, gjenocidin dhe spastrimet etnike që ishin bërë në Kosovë nga serbët, siç kishte kërkuar falje presidenti serb Tadić në Srebrenicë”.

Duke folur për rezolutën e Asamblesë Parlamentare në Strasburg, të bazuar në raportin e Dick Marty-t, i cili e akuzon Kosovën për “trafik organesh”, zonja Harxhi edhe këtu u shpreh qartë, si ndaj ministrit serb, ashtu edhe para të pranishmëve që po ndiqnin punimet e sesionit të OKB-së, duke konfirmuar se “Shqipëria sot është një vend demokratik, transparent, i hapur dhe i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha vendet fqinje në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon, sikurse është e gatshme të bashkëpunojë edhe me ndërkombëtarët për integrime dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve në luftën e fundit në Ballkan. Madje, ne jemi ata që kemi qenë pro rezolutës së PE-së në Strasburg, duke u hapur rrugën dhe mundësinë hetimeve ndërkombëtare ndaj raportit të Dick Marty-t dhe akuzave serbe se në Kosovë UÇK-ja apo liderët e saj qenkan marrë me ‘trafik organesh’, duke implikuar këtu edhe vendin tonë…”

Harxhi: Ne kemi votuar pro rezolutës së KE-së në Strasburg për të dëshmuar se Shqipëria është shtet transparent dhe i gatshëm për bashkëpunim dhe hetime

Prandaj, sipas diplomates shqiptare, znj. Harxhi, “qeveria shqiptare dhe institucionet tona janë të gatshme të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për t’u kontribuar hetimeve për të gjitha llojet e krimeve, megjithëse, para këtyre kërkesave të palës serbe dhe Dick Marty-t, TPI, bashkë me EULEX-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në rajon, kanë zhvilluar hetime, të cilat, pas një dekade të plotë aktivitetesh dhe hetimesh, deri më tani nuk kanë gjetur fakte për të dëshmuar atë që është thënë në raportin e Dick Marty-t apo në akuzat serbe”, citon gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

Në fund, duhet shtuar se gjatë qëndrimit në Gjenevë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi, po zhvillon një aktivitet të dendur diplomatik me zyrtarë të lartë të OKB-së dhe përfaqësues të vendeve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, duke i dhënë prioritet lobimit për njohje të reja të Kosovës nga vendet të cilat ende hezitojnë apo nuk e kanë njohur atë deri në këto momente.

 

Derniers articles