Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, e drejtuar nga Bardhyl Mahmuti, ka përshëndetur konsensusin e arritur nga 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës rreth deklaratës së 28 shtatorit 2026 lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Qendra e cilëson këtë bashkim parlamentar një hap të rëndësishëm në mbrojtjen institucionale të së vërtetës historike për luftën e Kosovës, shkruan gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch
Në reagimin e saj, Qendra vlerëson veçanërisht faktin që deputetët, pavarësisht dallimeve politike, arritën të bashkohen rreth një qëndrimi të përbashkët ndaj Aktgjykimit të Speciales.
“Na gëzoi fakti që, përmes deklaratës së 28 shtatorit 2026, deputetët morën qëndrim të qartë dhe theksuan se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Sipas Qendrës, me këtë deklaratë deputetët kanë shprehur vullnetin politik për ta kundërshtuar Aktgjykimin e 16 shtatorit dhe veçanërisht përfundimet që lidhen me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që uniteti i shfaqur në Kuvend të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të shndërrohet në veprime konkrete juridike, institucionale dhe diplomatike.
“Kemi besimin e plotë se vetëm të bashkuar mund të realizohen kërkesat e deputetëve drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, thekson Qendra.
Në komunikatë kërkohet gjithashtu hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës Kosova do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin ndërkombëtar të versionit të saj të së vërtetës historike mbi luftën çlirimtare.
Mahmuti: Synimi përfundimtar, zhbërja e Speciales
Qëndrimi më i fortë në komunikatë lidhet me të ardhmen e vetë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Qendra shpreh bindjen se një strategji profesionale dhe e koordinuar nga institucionet e Kosovës duhet të synojë edhe vënien në pikëpyetje të vazhdimit të funksionimit të këtij institucioni.
“Jemi të sigurt se realizimi profesional i kërkesave të lartpërmendura do të sjellë deri te një vendim i drejtë: zhbërja e Dhomave të Specializuara dhe lirimi i pengjeve që mbahen në burgun e Scheveningenit në Hagë”, përfundon komunikata e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Reagimi i drejtuar nga Bardhyl Mahmuti vjen në një moment kur Aktgjykimi i Speciales vazhdon të prodhojë reagime të forta politike dhe publike në Kosovë dhe në diasporën shqiptare, ndërsa debati tashmë po zhvendoset edhe te pyetja se çfarë hapash juridikë, politikë dhe diplomatikë mund të ndërmarrë Kosova pas vendimit të Hagës.
