Shyrete DEMAJ *
Erdha
Erdha,
Me e pru’ i’ grusht zjerrm n’Shqypni
me kallzu se sa djegë flaka e përçarjes.
E ka ditë
fort mir ai i madhi Gjergj
se kokat e idhnimit e tradhtisë
veç n’i prefsh si kokat e gjarpnit
se s’lajn me u bashkue.
Thuprat e bashkimit jan degdisë
kurtheve t’hasmit nxanun,
asht’ mbulue me therra lëndina e pajtimit.
E gjaqet e derdhuna për liri nuk hupin, nuk thahen por ziejn në pikën e vlimit
dej’ t’vjen ora e bashkimit.
Erdha…
Me pru’ i ‘grusht fjalë t’randa bese prej malesh t’nalta
qi bashkojnë dheun me qiellin, qi shkruhen me gjak e s’i shlyen ma koha.
Erdha…
Me e pru’ i’flamur t’moçëm qi valvitet qiejve t’lirisë me shpirtat e herojve…
Bukë, Farë e Dritë
Me duer t’nanës
Gatova bukën e kollomojt
N’dritë t’Shën Gjergjit.
Buzëqeshin trohat e fëmijve
N’tamlin e amël
N’gjijtë e pranverës.
Aromë lulepini takmue
Mbramjeve n’vesë maji.
Hidhet fara e bereqetit
Dashni n’lavrën e butë t’dheut.
Çelin sythat e vargjeve t’reja.
Mbjell lutjet
N’lavra zemre
Për bukën e së nesërmes.
Zoti asht arra.
Fara.
Qielli.
Nana asht Dielli…
Buzëqeshje e lumnueme
E pashë në andërr,
Veten të vdekun.
E shtrime, n’mes odës teme
me mure të gjelbra si livadhet e prillit
e tavani i ngjyem në të kaltër
si qielli i lirisë,
veç do re t’zymta
ishin strukur qosheve t’mykta,
e pritshin me ja kris vajit…
Me dy duer t’palueme mbi gjoks mbështjell zemrën si kapakët
e sahatit me qystek të babës tem
qi matke’ kohën si në vakt t’moçëm
me bes, nder edhe shqiptari
isha gatit për udhë tjetrës botë…
Njani sy m’kish mbet çel,
s’di prej cilit peng shpirti
Në buzë më kish mbet
një buzëqeshje e lumnueme
si ditën kur atdheu kish fitue lirinë…
- Shyrete Demaj ka lindur në Peshkopi ku edhe u arsimua. Jeton dhe vepron në Prizren, Kosovë së bashku me bashkshortin dhe familjen. Që në rininë e hershme ka pasur dëshirën për të shkruar poezi. Ka botuar librin e parë vëllim me poezi “Shpirti i shpirtit tim” në tetor 2024. Në proces botimi ka edhe dy vëllime me poezi që së shpejti do dalin në dritë. Ka marrë pjesë në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare, në organizime letrare ku edhe është vlerësuar me çmime. Është një autore që veçanërisht pëlqen dhe lëvron poezinë bashkëkohore postmoderne.
