Ekspozita me foto të rralla nga zvicerani Eugène Pittard hapet në Shkodër
Ambasada e Zvicrës rikthen për herë të parë pas 100 vitesh para publikut shkodran një koleksion me foto të marra nga akademiku zviceran dhe miku i madh i Shqipërisë Eugène Pittard në vitet 1921 dhe 1924 gjatë udhëtimeve rreth vendit, njofton gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch
Ekspozita ‘Shqipëria 1921 – Eugène Pittard’ u hap për publikun në Shkodër – në qytetin nga ku akademiku zviceran nisi njohjen e tij me Shqipërinë në udhëtimin e parë në 1910.
« I am proud to present this exhibition and proud that a fellow Swiss citizen contributed so profoundly to the understanding, visibility, and dignity of Albania at a moment when international attention truly mattered. », tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber në hapje.
« The work of Eugène Pittard reflects values we continue to share today: openness, human connection, and cultural dialogue. As Switzerland continues to be a close partner to Albania, the legacy of Pittard still serves as an inspiration for our support and solidarity », shtoi Ambasadorja Huber.
Ekspozita ofron materiale te printuara me foto të rralla dhe të papublikuara më parë, si dhe përmbajtje digjitale përmes animimeve, slide-ve dhe Virtual Reality (VR). Kjo e bën ekspozitën tërheqëse për grupmosha të ndryshme duke mundësuar njohjen me një pjesë të trashëgimisë historike të Shqipërisë për të gjithë brezat. Ajo do të qëndrojë e hapur në sheshin para Bashkisë Shkodër deri më 7 maj.
“Shpresoj që puna fotografike e Pittard të frymëzojë edhe sot fotografë dhe artistë që të dokumentojnë edhe sot vendin tonë përmes fotografisë, ashtu si bëri ai para më shumë se 100 viteve”, tha kuratori i ekspozitës Elton Koritari.
Eugène Pittard ishte një kontribues i madh për Shqipërinë. Ai u bë këshilltar i Presidentit amerikan Woodrow Wilson dhe loboi fuqishëm për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë deri në pranimin në Lidhjen e Kombeve në 1920. Broshura e tij më e famshme ‘Pour L’Albanie’ e botuar në të përditshmen e Gjenevës ‘La Suisse’ paraqet gjendjen reale të vendit në atë periudhë, ofron argumente dhe bën thirrje për njohjen e Shqipërisë. Pittard është gjithashtu themeluesi i Kryqit të Kuq Shqiptar.
Fotot e tij tregojnë një pamje të jashtëzakonshme të vendit dhe njerëzve në vitet 1921 dhe 1924. Ndryshe nga fotografët e tjerë të asaj periudhe, Pittard u përqendrua në jetën e banorëve të thjeshtë të vendit. Koleksioni i fotove që tashmë kanë udhëtuar dhe janë rikthyer nga Gjeneva për në Shqipëri, ofron një dokument vizual të shtetit të sapo-formuar shqiptar si dhe shërbejnë për të përforcuar një sens të identitetit dhe të memories kolektive.
Ekspozita do të vijojë në Durrës dhe Korçë deri në qershor 2026 si pjesë e fushatës për njohjen e figurës dhe kontributit të Eugène Pittard për Shqipërinë.
