Që nga themelimi i saj, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” ka tërhequr vërejtjen rreth interpretimeve të pasakta dhe përdorimit të gabuar të terminologjisë për të përkufizuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Në funksion të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, si dhe për të shmangur grackën e mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie të papërshtatshme, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” ka publikuar doracakun “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, nga autori Bardhyl Mahmuti, si dhe fejtonin në 46 vazhdime të librit që do të botohet në një të ardhme të afërt, “Krimi i gjenocidit – aspekte teorike dhe studime rasti”, nga i njëjti autor.
Fatkeqësisht, me vetëdije apo pa vetëdije, një numër i konsiderueshëm librash të publikuar nga autorë shqiptarë, apo të huaj e të përkthyer në gjuhën shqipe, hyjnë në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” shpreh revoltën e saj ndaj këtij aktiviteti të autorit Shkëlzen Gashi, i cili, përmes ekspozitës, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, shpërndau sajesa të tilla që jo vetëm e shtrembërojnë realitetin, por hyjnë edhe në funksion të mohimit të gjenocidit.
Ky akt i papërgjegjshëm, i realizuar përmes kësaj ekspozite, ka shkaktuar një reagim të madh të qytetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe politikanëve. Urojmë që ky reagim të mos mbetet vetëm një reagim çasti, por të shndërrohet në një vigjilencë të përgjithshme ndaj çdo publikimi që ka të bëjë me plagën tonë të hapur, e cila vazhdon të kullojë gjak në pritje të ngadhënjimit të drejtësisë.
Gjenevë, 28mars 2026
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”

