Fshati Albana shtrihet në komunën e Prepotto-s, në provincën e Udines, në rajonin e Friulit, në Itali. Albana është një vendbanim i vogël, i vendosur pranë kufirit italo-slloven.
Në mes të fshatit gjendet edhe Kështjella e Albanës, e cila mund të vërehet që nga një distancë prej 2–3 kilometrash. Kështjella, e cila mban emrin e fshatit Albana, daton që nga shekujt e hershëm, siç thonë banorët dhe fshatarët e zonës, përkatësisht nga epoka e ilirëve. Sipas tyre, Kështjella e Albanës është zbuluar dhe meremetuar në shekullin XII nga banorët e Gadishullit Ilirik. Sot, kjo kështjellë është pronë private dhe, për momentin, ende nuk është e hapur për vizitorët, qofshin ata vendas apo të huaj.
Rina Pulz (nga Gorizia) – e cila i tregon Nefail Maliqit, gazetar pranë OKB-së, se shpesh shkon në fshatin Albana me miqtë e saj – është aktualisht redaktore e gazetës në gjuhën shqipe « LeCanton27.ch », me seli në Zvicër. Me Rinën flasim italisht, e ndonjëherë edhe sllovenisht, pasi ajo i zotëron rrjedhshëm të dyja gjuhët. Edhe pse është italiane, por me prejardhje sllovene, ajo nuk e fsheh realitetin dhe shpjegon: “Fshati Albana është një fshat ilir, deshi apo nuk deshi dikush ta pranojë këtë realitet. Fundja, vetë emri Albana flet më së miri për origjinën e këtij fshati. Përveç kësaj, edhe të parët tanë, stërgjyshërit e mi, më kanë treguar se ky fshat, në kohërat e mëhershme, u takonte ilirëve”.
Zonja Pulz shpjegon po ashtu se vera më e mirë në Itali vjen nga fshati Albana.
“Shumë turistë e biznesmenë, si vendas ashtu edhe të huaj, gjatë vjeshtës i drejtohen fshatit Albana për të siguruar verën për dimër, verë të kuqe si gjaku, si flamuri juaj shqiptar”, – thotë duke qeshur Rina.
Një historian italian ka shkruar:
“Në korrik të vitit 1478, në kohën e pushtimit osman, me urdhër të Iskander Beut (kupto: Skënderbeut, shën. ynë), trupat e udhëhequra nga Yuri Fuchina, nga Kobaridi, janë shtrirë në zonat e Gorizias dhe Cormòns-it për t’u bërë ballë osmanëve. Më pas, deri te lumi Judrio, trupat e Iskander Beut kanë parakaluar pranë Kështjellës së Albanës, ku do të bashkoheshin me grupe të tjera ushtarake përgjatë Isonzos”.
Kjo flet për admirimin e Skënderbeut për Albanën
Në fshatin ilir, sot, edhe pse askush nuk flet shqip, aty flet shqip toka, flet shqip kështjella, flasin shqip shqiponjat që fluturojnë mbi qiellin e fshatit ilir.
U larguam nga fshati ilir, Albana, duke i lënë shqiponjat të fluturonin të qeta në qiellin e tyre të lirë…!

