4.4 C
Berne
jeudi 12/03/2026

Osmani në TV SYRI ra shume poshtë me ato muhabete sikur nëper oda në stilin « …i thashë….Ai më tha… »

Shkruan Valentina SARACINI

Me vemendje të madhe e përcolla intervistën e Presidentes Osmani mbrëmë në TV SYRI, medium i njohur në Tiranë. Dhe, thënë më së buti, u zhgënjeva shumë, me nivelin në stilin  » … i thashë ….Ai më tha… »… « …po të isha unë kandidate do të ishin 80 deputetë në sallë… »…etj. etj.

Një Presidente nuk hyn fare në këso « muhabete »… Vërtetë opinioni ka interesim të madh të dijë pse dhe çka ishte shkaku i përçarjes evidente mes Presidentes dhe Kryeministrit. Por ama ka mënyra elegante e diplomatike që gjërat të thuhen pa ulur nivelin e artikulimit dhe të mirësjelljes shtetërore… Nuk duhet ta dijnë as miqtë e as armiqtë çka dhe si bisedojnë e merren vesh ose nuk merren vesh Kryeministri me Presidenten! Gjërat edhe do të mund të thuhen p.sh në stilin  » …po kemi biseduar por u pajtuam se nuk ka mundësi për një marrëveshje këtë herë… »

E, nga ajo që dëgjuam dalin shumë pyetje të tjera…Përshtypja që e fiton është e hidhur. Nuk duket se znj.Presidente ka pasur qasjen e pritur nga admiruesit e sajë… Pse? Unë besoj se preokupimi serioz i Presidentes duhej të kishte një qëllim: të përmbyllet me sukses procesi i zgjedhjes së presidentes-presidentit, pavarësisht se kush janë kandidatët në garë dhe në këtë kontekst kontributi i saj do të duhej të ishte i pakursyer. Ajo duhej të evitonte bllokimet, (përmes taktikave e kalkulimeve të subjekteve të caktuara politike), duke mbështetur e mirëpritur respektimin e procedurës dhe kritereve. Sidomos pasi që znj.Osmani e kuptoi se nuk do ketë përkrahje nga koalicioni i LVV, ajo nuk do të duhej të mllefosej por duhej ta luftonte çdo lloj veprimi politik të bllokimit të procesit të zgjedhjes së presidentit.

Ajo duhej të angazhohej fort dhe t’ua rikujtonte edhe publikisht edhe në takimet me kryetarët e partive, se mosardhja në seancë e deputetëve të partive opozitare i bën dëm procesit dhe se vendin e çon në zgjedhje të reja që nuk do ishte interes i shtetit në rrethanat aktuale, e do të kishte veç dëme … (Madje, këtë duhej t’ua thoshte qarte atyre deputetëve të cilët , që siç ka pohuar Presidentja po të ishte ajo kandidate, i kishin premtuar se do të vinin në seancë). Mirëpo, tani po del se znj. Osmani me të kuptuar se ajo nuk e ka përkrahjen e LVV për t’u votuar, vendos që mos të kandidojë por ama fare nuk i intereson më nëse opozita do ta pamundësojë zgjedhjen e kandidatëve të LVV për president, pra nuk i intereson fare që nuk do ketë prani të duhur të deputetëve të opozitës në seancë, e që rrjedhimisht rrezikon dështimin e seancës?!

Nëse kjo ka ndodhur kështu atëherë lind pyetja: Pse kjo sjellje e Presidentes Osmani? A Mos vallë e ka pritur këtë zhvillim si një « shut » për të dhënë golin hakmarrës LVV, pra për vendime që mundësojnë shpalljen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme ?!? Nuk dua ta besoj se mllefi e çon vendin te një epilog i tillë! A është e mundur që kjo Presidente, e cila shumë herë na bëri krenarë kudo në botë ku përfaqësoi interesat thelbësore të shtetit, nuk u brengos fare nëse disa parti me çdo kusht duan ta rrëzojnë një Qeveri dhe një Kuvend, të dalë rishtazi nga zgjedhjet me rreth 52 për qind të votave të popullit?

Çfarë duhet të ndodhë që të mbrohet vullneti i sovranit? A duhet ta lodhim e zhgënjejmë sovranin duke e çuar në zgjedhje sa herë ua do qefi partive opozitare apo atyre që kanë ambicie për të vazhduar në poste të larta dy mandate?! Uroj që Presidentja Osmani mos të jetë kurrë pjesë e intrigave dhe marrëveshjeve politikisht e moralisht të dyshimta dhe kundër vlerave dhe zhvillimit demoratik! Sidoqoftë, mbeten disa pyetje që duhet shtruar qartë dhe që lehtësisht mund ta gjejnë përgjigjen duke parë me sy dhe me mendje të kthjelluar, e pa tifozeri e militantizma partiake, pa fyerje e interesa meskine, por thjesht si pyetje që nxisin të menduarin, reflektimin dhe qëllimet e mira, për të mirën e shtetit dhe brezave që vijnë… A e din klasa e jonë politike se po shkakton mosbesim, madje edhe një zhgënjim e lodhje të sovranit?

Dua të besoj se kjo klasë politike duhet ta kuptojë se kur me sjellje të papërgjegjshme e lodh popullin, me zgjedhje të shpeshta, me bllokada e ngërçe politike të shpeshta, të panevojshme brenda institucioneve kryesore shtetërore, ( si pasojë e papërgjegjësisë, primitivizmit politik, padijenisë, inateve e mllefeve, xhelozive e nivelit të ulët të kulturës elementare politike, por edhe dobësi të tjera nga spektri i edukatës, mirësjelljes ) në thelb me këtë lloj lodhje po shkakton mosbesim të thellë tek qytetarët, tek elektorati.

Ndërsa një nga qëllimet kryesore të luftës speciale kundër një shteti është pikërisht rritja e mosbesimit të popullit ndaj klasës së vet politike që mundet të shkaktojë pasoja të rënda, edhe revolta. Kush brënda kësaj klase politike e dëshiron një situatë të tillë? Ndërkohë që dihet poashtu se luftën speciale kundër atdheut tonë e ndihmojnë, pa qëllim, edhe një pjesë e politikanëve të paditur, ama me ambicie të sëmura, duke ushtruar luftë politike të brumosur me urrejtje patologjike dhe smirë, si edhe shpërfaqje të një babëzie të shfrenuar për pushtet e pasurim, pa e bazuar në dije, merita, aftësi e punë të ndershme mbi parime, vlera dhe zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës në çdo kapitull e nen të saj.?

Klasa politike duhet ta ketë në mendje vazhdimisht se atdheu i jonë është shtet i ri, dhe shtetndërtimi i mirëfilltë nuk bëhet me klasë politike që bën gabime e inate dhe që e fut vendin në kriza e zgjedhje parlamentare të stisura… Nuk forcohet shtetësia dhe nuk luftohet lufta speciale e armiqve të pavarësisë me ngërçe politike, urrejtje dhe refuzim të detyrimeve kushtetiese! Si do të mbërrihet emancipimi i lart politik e kulturor, si do të thellohet një kulturë politike shtetndërtuese e shtetit të së drejtës nëse në Kuvendin e Republikës tonë dominon komunikimi me fjalor kafeneje, konfliktnxitës, e me frymë mosrespekti ndaj secilit dhe ndaj rregullave e ligjit, dhe kur ka mungesë elementare të respektit të vendit të punës e besimit të dhënë nga votuesit…?

Është dukuri që shumë deputetët nuk vijnë në seanca, as edhe në ato që i detyron Kushtetuta… dhe këta deputetë pastaj shfaqin ambicie të marrin pushtet dhe poste, e të krijojnë politika… ose të zbatojnë ligje??? Deputetët tanë duhet të punojnë shumëfish më shumë se ata në shtetet rreth nesh… se ne humbëm dekada pa shtet, në okupim e luftë, protektorat të OKB-së dhe vite e vite me kompeteca të kushtëzuara… E turpshme deri në qiell, e pabesueshme për brezin tim çdo shpërfillje dhe abuzim me detyrat që i ka çdo deputet, sidomos në krijimin e institucionve shtetërore pas zgjedhjeve parlamentare. Ku e marrin atë guxim dhe të drejtë apo atë diktat që t’i bojkotojnë seancat edhe ato seanca të cilat Kushtetua e saktëson se çdo deputet duhet të jetë në sallë…?!

Kushtetuta nuk parasheh dënime për rastet në fjalë sepse vetkuptohet se deputetët janë njerëz me edukatë dhe vetëdije politike dhe shtetndërtuese të lartë… Sidoqoftë, t’i kthehem konkretisht rolit dhe detyrimeve kushtetuese të deputetëve dhe krerëve të shtetit duke shtruar edhe disa pyetje lidhur me zgjedhjen e presidentit-es:

1.Pse partitë opozitare nuk thanë qartë dhe hapur ne e duam për kandidate znj.Osmani dhe do ta votojmë?

2. Pse PDK, LDK dhe AAK nuk u deklaruan qartë se ata nuk e duan znj. Osmani për kandidate dhe nuk e votojnë atë për presidente ?

3. Pse partitë opozitare nuk deklaruan fare ndonjë emër për kandidat të mundshëm?

4. A ishte inskenim se gjoja opozita nuk ka unitet për një kandidat?

5. A ishte skenar i përbashkët i znj. Osmani dhe partive opozitare të heshtin dhe të taktizojnë e me qëllim që deputetët e opozitës fare mos shkojnë në seancën e mbrëmjes së 5 marsit kur duhej filluar procedura e zgjedhjes së presidentit me dy emrat e publikuar të kandidatëve të LVV?

6.A duhej znj.Osmani të ngritej mbi interesat e kalkulimet e partive dhe të përpiqej t’i bindë liderët e opozitës, që të jenë në sallë, me deputetët… e mos ta sabotojnë politikisht seancën, sepse e rrezikojnë prosecin, e çojnë vendin në zgjedhje të reja, e kjo do ta dëmtojë interesin e shtetit në shumë aspekte?

7. A duhej znj. Osmani të takojë me urgjencë Kryeministrin dhe Kryetaren e Kuvendit, menjëherë pasi u ndërpre seanca e Kuvendit meqë nuk pati kuorum për ta nisur votimin për president, në garën mes dy të propozuarve sipas procedurës?

8. A ishte detyrë dhe obligim, qoftë edhe moral i Presidentes të kontribuojë që të gjendet zgjidhje dhe AJO t’ia kërkonte Gjykatës Kushtetuese, bashkë me Kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin një mundësi kushtetuese që do t’i detyronte deputetët të zbatojnë obligimin kushtetues- të jenë në seancë?

9. Pse Presidentja Osmani (duket sikur mezi priti) në mëngjesin e 6 marsit pa e njoftuar Kryekuvendaren dhe Kryeministrin e shtetit, zhvilloi takim me gazetarë ku njoftoi se ka sjellur dekretin për ta shpërndarë Kuvendin?!

10. Si mundet Presidentja ta shpërfill votën e sovranit, përkatësisht përfaqësuesit e zgjedhur- fitues të zgjedhjeve … pra ta shpërfill Kryeministrin dhe Kryekuvendaren , dhe 67 deputetët në sallë dhe t’ua japë rolin vendimtar- vendosës deputetëve të partive opozitare, bllokuesve, pikërisht atyre që nuk e kryejnë obligimin parësor kushtetues- të jenë në seancën e zgjedhjes së presidentit kurdo që thirret seanca, ditën a natën?

11.Si mundet presidentja Osmani të sjell dekret ta shpërbëjë Kuvendin pa e pritur përgjigjen-vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës që e ka dërguar Kryekuvendarja lidhur me mosrespektimin e detyrimit të deputetëve për të qenë në seancën e 5 marsit 2026, kur duhet zgjedhur presidenti i ri i vendit?

12. Pse znj.Osmani nuk e jep intervistën në RTK, pra te transmetuesi publik i vendit për të sqaruar gjerësisht dhe për të shpalosur me hollësi pikëpamjet dhe arsyet e veprimeve të saja? Sidomos pasi u pezullua nga Kushtetuesja dekreti i Presidentes ? Pse zgjodhi të japë intervistë te një medium i Shqipërisë?

13. Pse zonja Osmani nuk e thirri mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe pastaj të kërkojë t’i drejtohet qytetarëve që t’u tregojë kush janë këta njerëzit e papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme, të cilët ( sipas znj. Presidente) patën fuqi ta çojnë vendin në situatë të jashtëzakonshme- për dekret me të cilin Presidentja vendoska ta shpërndajë Kuvendin, fare pak muaj pas zgjedhjeve të fundit?!!

14. A i takon një presidenti-e të Kosovës të bëjë krahasime se cila administratë e cilit president të SHBA ka bërë më shumë a më pak për vendin tonë! A ishte e nevojshme këtë çështje ta trajtojë në intervistë, e brënda kontekstit të gjëndjes aktuale ?

15. A e din znj. Osmani se sekretet shtetërore nuk lejohet të thuhen publikisht nga askush që vjen mysafir në Prishtinë, e në prani të Presidentes së Kosovës në një tubim publik, promovim libri?

16. A duhej Presidentja Osmani ta sqarojë për opinionin e vendit tonë nëse sekreti i thënë më 16 shkurt, nga Kryeministri i Shqipërisë lidhur me disa insistime të hetuesisë së Gjykatës Speciale të Hagës, ishte sekret, ishte fakt, ishe një vërtetë apo sajesë e z.Ramës për protagonizëm?

17. A e di znj.Osmani se z. Rama nga shumë njerëz besohet të jetë një orator- mjeshtër për manipulim të opinionit por edhe i « të vërtetave », si edhe mjeshtër i përçarjeve? ( Mjafton të analizohen në mënyrë kronologjike ngjarje e veprime gjatë 20 vjeçarit të fundit të asaj çka ndodhi në partinë e tij… dhe gati 15 vjet të qeverisjes së tij , ku plasin skandale e shumë vaki…me dhjetra ministra ose në burgje, o të arratisur ose nën aktakuza nga SPAK ).

18. Dikush mund të bëjë edhe këtë pyetje: A i beson znj. Osmani Edi Ramës më shumë se sa që i beson Albin Kurtit?

19. A e di zonja Osmani se Edi Rama ende nuk i ka dhënë llogari asnjë institucioni në Kosovë për takimet e fshehta vite përpara me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës? Natyrisht, ka edhe shumë pyetje që i imponon situata aktuale zhgënjyese dhe që ndoshta do tē duhet të marrin përgjigje nga Presidentja Osmani… Megjithëse, besoj se shumëkush edhe mund t’i dije përgjigjet, si qytetarët edhe politikanët.

Çëshja kryesore këto ditë është që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ta bëj punën e sajë, pa u ndikuar asnjë fije nga askush por duke e ruajtur vlerën e lirisë, vlerën e votës dhe të Kushtetuës, si garanci për dinjitetin e qytetarëve dhe të votuesve … e duke ofruar ndjenjën e domosdoshme të besimit në shtet funksional, besimit për zbatim të Kushtetutës dhe nevojën për besimin se askush brenda klasës politike nuk mundet të tallet dhe ta injorojë e ta lodh elektoratin, ndërkohë që zgjidhjet politike janë të mundshme, e ngërçet e bllokadat e panevojshme janë manifestim i primitivizmit politik- mungesës të mirësjelljes elementare dhe vetëdijes shtetndërtuese.

Liria dhe shteti ndërtohen me vlera, me dinjitet dhe komunikim njerëzor, me ndershmëri, si edhe me ballafaqim të pikpamjeve dhe qëndrimeve të ndryshme politike por ama gjithnjë duke respektuar njeriun, mirësjelljen, lirinë e mendimit, etikën profesionale, votën e sovranit dhe rendin demokratik… rregullat, ligjet dhe Kushtetutën. Ju deputetë aktualë mos harroni se Kuvendi është i shenjtë për lirinë dhe shtetin e pavarur!

JU NUK JENI ATY PËR SJELLJE RRUGAÇËSH, INTRIGANTËSH E SHANTAZHUESISH … JENI ZGJEDHUR PÊR TË HAPUR RRUGË TË NDRITURA, PËR T’I DHËNË IDE, KËRKESA APO KRITIKA QEVERISË… PËR TË MIRATUAR LIGJE DHE JO PËR TË SHKELUR LIGJE … AS PËR BLLOKADA E NDËRSKËMBËZA NDAJ PROCESEVE SHTETNDËRTUESE… JENI ATY PËR TA SHKAKTUAR ZHVILLIMIN E ATDHEUT E JO T’I SHKAKTONI NGECJE E PENGESA POLITIKE TË POROSITURA …! V.S

Derniers articles