Me ftesë të Liderit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, bashkë me përfaqësues politik shqiptar nga Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, në 577 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës edhe Lugina e Presheves eshte prezent perfaqesuar nga lideri Shaip Kamberi, njeherit deputet ne parlamentin e Serbise i cili dite me pare ngriti aty flamurin kombetar!, shkruan gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch
Në fjalimin përshëndetës, në mes tjerash, theksova:
Zotërinj Kurti, Sela, Gjeloshaj, Meta dhe Shehu,
Është nderë i veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për mua personalisht, që sot të marrë pjesë në shënimin e 577 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Si ngjarje themeltare e historisë sonë, Lidhja e Lezhës është padyshim referencë e sotme për të ardhmën.
Para më se pesë shekuj, në këtë vend, menduan qëllime dhe morën vendime aktuale edhe sot.
Çlirim nga pushtuesi, Unifikim i forcave vendore, Bashkëpunim me vendet e tjera progresive dhe Demokraci përmes kuvendimit me një prijës si « i parë midis të barabartëve ».
E kush më shumë se shqiptarët e Luginës së Preshevës, vuajnë sot më shumë nga mungesa e jetësimit të qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës.
Të shtypur dhe të diskriminuar nga shteti i Serbisë. Të harruar ose instrumentalizuar nga politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë.
As Rënia e Murit të Berlinit, as shpërbërja e Jugosllavisë dhe as rënia nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit nuk përmirësuqn gjendjen shoqërore dhe pozitën politike e juridike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, megjithë Referendumin e tyre më 1 dhe 2 mars 1992 dhe kryengritjen e tyre të armatosur më vitin 2001.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk po trajtohen si shtetas dhe qytetarë të barabartë, megjithë procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian i cili i ka mbyllur sytë ndaj politikës autoritare, anti-minoritare dhe anti-shqiptare, të pushtetit absolut të Aleksandër Vuçiqit.
Përderisa jemi tubuar sot për ta shënuar përvjetorin e kësaj ngjarje historike, dje në Luginën e Preshevës është ngritur edhe një padi gjyqësore nga shteti serb ndaj një politikani shqiptar për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Para pak ditësh, gjykata serbe ka legalizuar përdoriminzyrtar dhe publik të termit racist dhe fyes për shqiptarët. E po paralajmërohet edhe shkrimi “shtetëror” i historiografisë zyrtare serbe në tekstet shkollore, për glorifikimin e kriminelëve të luftës që kryen krime ndaj shqiptarëve dhe kombësive të tjera joserbe në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Nën fatin e Serbisë së qeverisur sot nga ish-bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, të përkëdhelur nga kryeqendrat perëndimore në emër të stabilokracisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë çdo ditë më të paktë demografikisht, por më të shumtë partiakisht.
Janë pa fajin e tyre më së shumti larg qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës. Të paçliruar nga shtypja, të paunifikuar drejt një ideali të përbashkët, të papërfillur nga faktorët e jashtëm progresiv dhe pa kuvendim me Tiranën dhe Prishtinën.
Kësisoj, Lugina e Preshevës është ndoshta sot e vërteta që thërret të gjithë ata dhe ato që kanë Besëlidhjen e Lezhës për ngjarje themeltare, qofshin ata në Tiranë, Prishtinë, apo në Bujanoc e gjetiu. Për ta lidhur “besën për shpëtim”!
Ju faleminderit!