Shkruan: Flavio Qarri
Saga e orëve të fundit të Artan Lames ishte vërtetë interesante për t’u ndjekur. Njoftimi i parë i gabuar bëri që të vërshonin një lumë sharjesh të padëgjuara ndonjëherë për një personazh që nuk ka pasur valencë direkte politike. Posti i tij në shtet mesa duket ka krijuar vetëm dy produkte. Favorizime miqve personalë në media dhe jetë dhe mllef me konsensus të gjërë popullor.
Sharje barbare për drejtuesin jetëgjatë të kadastrës. Administratë që me profile false, nga ato që kanë me shumicë, nxirrnin të palara ordinere në trajtimin e njerëzve që punonin aty dhe këdo hallexhi që kishte fatin e keq të kishte punë me Kadastrën, thënë shkurt, një Shqipëri e tërë.
Se si ka punuar Artan Lame te Kadastra nuk ka nevojë tua them unë. Plaga e pronave është akoma më e pazgjidhur dhe gjyqet zgjasin akoma më shumë. Vjedhja e pronave nga të fuqishmit është në rend të ditës, dhe Lamja e perfeksionoi zhdukjen e pronës.
Ajo që ishte interesante ishte shkelja barbare e kodeve të mortit. Një lumë sharjesh vulgare, mallkime për udhëtimin e përtejmë e gjëra që nuk dua as t’i ripërcjell. Teksa pyesja veten kur shihja edhe individë që nuk janë luanë tastiere por biznesmenë edhe të rrezikshëm pyesja veten se pse asnjëri nga këta nuk u hakmorr sa ishte Lamja në detyrë ose pas largimit?!
Aty befas u kujtova për mënyrën se si funksionon Republika e Ramës.
Do mjaftonte një mesazh kërcënues ndaj njërit prej të deleguarve direkt të Kryeministrit dhe e gjithë jeta jote merr plotësisht fund me fuqinë absolute të pushtetit. Qani Muça provoi të gjithë fuqinë e institucioneve se qëlloi ndaj inspektorit që po i prishte shtëpinë padrejtësisht. Mihal Kokëdhimës i zhdukën edhe gjurmët e biznesit sepse i kërkoi lekët e faturës së drekës mikut spanjoll të Ramës.
Edhe pse Banderasi i arsimit privat bashkë me guidën konsumuan një vrasje të mbetur në tentativë të cilën e pamë të gjithë falë asaj videoje të tmerrshme, fajin e mbajti viktima, nuk mori lekët e punës por u dënua me burg 1 vit se i prishi fshirësen e xhamave spanjollit me gjakun e tij. Verifikojeni nëse ju duket çmënduri kjo që shkruaj.
Por nëse për Lamen Shqipëria zgjodhi ta përcillte me libër shtëpie, ndoshta do ishte momenti që të kuptonim se nuk mund t’i shajmë të gjithë ata që na nxijnë jetën pas vdekjes.