Prishtinë, 11 jana -Në këtë tubim të Koalicioni Për Familjen marri pjesë kandidatët për deputetë të këtij koalicioni, ndërsa fjalim mbajti edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, parti e cila garon me këtë koalicion. Ai ka thënë ky koalicion është ai që mbron shtyllën kryesore të shoqërisë. Në mesin e mysafirëve është parë edhe ish-ambasadori William Walker, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch
Koalicioni për Familjen e ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore me një tubim në Prishtinë më 11.01.2025.
I pari kësaj liste, Eman Rrahmani ka thënë se subjektet tjera politike sot janë zbrapsur dhe nuk gxojnë të shtyjnë ligje që cenojnë familjen.
“S’ka prindi 1 e 2, ka nanë, babë, grua, vajzë, djalë. Le ta harroj secili që guxon të ndryshoj familjen shqiptare. Në këtë angazhim politk ju garantoj që asnjëri nuk është bë pjesë e këtij ekipi për të përfitu, secili ka shpreh vullnetin për me mbrojt vlerën e familjes. Agjendës që cenon familjen po i vjen fundi”- u shpreh ai.
Partitë politike në Kosovë, kanё nisur qё moti tё përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pёrmes para-fushatave qё kanё zhvilluar tash e disa muaj.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore me numër 137.
Nga këto zgjedhje do të vendoset përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Qeveria aktuale e formuar mё 2021 në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.