3 C
Berne
lundi 23/12/2024

Shqiptarët e Luginës protestojnë për “identitet dhe dinjitet”

Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.

Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Beogradi vazhdon mecavazin e vjeter, t’u trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, tha Kamberi.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore », tha Kamberi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se shqiptarët në Luginë të Preshevës po përballen me diskriminim sistematik, duke shtuar se kërkesat e tyre të paraqitura në protestë « janë plotësisht legjitime dhe të drejta ».

« Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë », shkroi ai në Facebook.

Marrëveshja e Konçulit u arrit në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Në sheshin ku u mbajt protesta, të hënën, u pa një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk u raportua për ndonjë incident gjatë protestës.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Enis Fejzullahu, student nga Bujanoci që studion në Kosovë, foli për vështirësitë me të cilat të rinjtë e Luginës së Preshevës përballen për shkak të mosnjohjes së diplomave të tyre.

“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, e ndjek barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çfarë pas përfundimit të studimeve dhe frika që nuk do të mundë të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij. Studenti shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është student i zakonshëm. Për mua dhe për ne, student i Luginës që studion në Kosovë është një hero. Diplomat mund edhe mos të na i njohin, por vullnetin dhe dashurinë për këtë vend, ata kurrë nuk mund të na shuajnë. Dijen nuk mund të na e marrin. E ardhmja jonë është këtu”, tha Fejzullahu.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës së Preshevës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Qeveria serbe e ka mohuar këtë.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave./REL

Derniers articles