“Këshilli i BE-së vendimi është marrë në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel ku ministrat e BE-së e miratuan këtë vendim në lexim të parë, pa diskutime, pasi për këtë, kishte pasur pajtueshmëri në takimin e mëhershëm të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare. Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së”, thotë ajo.
Ajo tha se rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të pasaportave të Kosovës udhëtimin në BE pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve.
BE-ja ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur nga Këshilli [më 9 mars] për heqjen e vizave për Kosovën. Propozimi duhet ende të miratohet nga Parlamenti Evropian për t’u bërë përfundimtar. Marrëveshja e arritur parasheh që liberalizimi i regjimit të vizave për Kosovën të hyjë në fuqi nga data e hyrjes në shërbim të ETIAS. Nëse ETIAS ka vonesa, data e fillimit nuk duhet të jetë më vonë se 1 janar 2024”, ka deklaruar znj.Anitta Hipper zëdhënëse e BE-së për cështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, për tv kombëtar ATV dhe gazeten zvicerane Le Canton27.ch
Ajo ka shtuar ne vazhdim se “Vlerësimi i Komisionit ishte i qartë që nga korriku 2018. Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kosova ka punuar shumë për të përmbushur të gjitha standardet dhe vazhdimisht tregon përkushtimin e saj. Ata punojnë pa u lodhur për të siguruar që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza”.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.