Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett është takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet palës nga Kosova dhe asaj serbe në Bruksel.
Ai në një postim në Twitter ka theksuar se marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik duhet të plotësojë procesin e tanishëm të dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
“I kënaqur për takimin me Lajçak për të diskutuar interesat e përbashkëta në dialogun në vazhdim. Marrëveshjet e Uashingtonit plotësojnë këtë proces të udhëhequr nga BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta – normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë”, shkruan diplomati amerikan.