4 C
Berne
dimanche 22/12/2024

Sekretari amerikan takohet me Borrellin, i përmend edhe Kosovën dhe Shqipërinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë takimit të Këshillit Ministror ShBA – BE, ku mori pjesë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i ka përmendur Kosovën dhe Shqipërinë në kontekstin e tranzicionit të energjisë.

Kryediplomati amerikan tha: “Jemi të përqendruar në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë së gjelbër në mënyrë që të arrihen synimet për zero gazra dhe për ta parandaluar katastrofën klimatike. Edhe këtu kemi bashkëpunuar dorë me dorë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa”.

“Për vite, Shtetet e Bashkuara i kanë përkrahur përpjekjet për lidhjen e rrjeteve energjetike të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Evropian për ta përshpejtuar rrugën e tranzicionit nga thëngjilli dhe lëndëve tjera djegëse”, deklaroi më tej zyrtari i lartë i administratës së Biden-it.

“E kemi parë dallimin që këto përpjekje kanë ndihmuar për ta bërë. Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar një rrjet të përbashkët të energjisë, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është shtuar shumë, shtetet në mbarë rajonin tash janë duke i diversifikuar mënyrat për marrjen e energjisë së tyre”, tha më tej shefi i diplomacisë amerikane.

Ai gjithashtu tha se Presidenti Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar në lehtësimin e ndonjë pengese në furnizimin e Evropës me energji.

 

Derniers articles