10 C
Berne
lundi 16/11/2026

Opozita e zbuloi sot “skandalin” e rrymës nga Serbia, por harroi se Kosova bleu energji për dy dekada nën qeveritë e saj!

Prishtinë, 16 nentor -Opozita kujdestare e çdo të zeze në Kosovë mezi pret të ndodhë diçka e keqe, vetëm që ta shfrytëzojë politikisht për të sulmuar Qeverinë Kurti-4. Madje, edhe raste të rënda e tragjike, si ai i Arlinda Zekajt, u panë nga disa si mundësi për ta goditur qeverinë dhe për të nxjerrë përfitime politike, raporton nga Prishtina korrespondeti i gazetes zvicerane LeCanton27.ch

Në vitin 2014, rreth 54 për qind e importeve të përgjithshme të energjisë elektrike të Kosovës vinin nga Serbia

Kur panë se as kjo çështje nuk po u sillte përfitimet e shpresuara politike, opozita gjeti një tjetër temë për fushatën e saj: rrymën nga Serbia.

Për dy-tri javë me radhë, pati një breshëri kritikash ndaj Qeverisë Kurti, me pyetjen që përsëritej nga të gjitha anët: pse po blen Kosova rrymë nga Serbia?

Por ja që qeveria mori vendim për ta ndalur tregtimin e energjisë me kompanitë e lidhura me Serbinë. Dhe çfarë ndodhi pastaj? Opozita e ndërroi pllakën: tani po e sulmon qeverinë pse e ndali tregtimin e rrymës nga Serbia!

Pra, dje ishte gabim pse blinte, sot është gabim pse nuk blen më!

Kësaj i thonë, me gjuhën e popullit: “Hyp se të vrava, zbrit se të vrava!” :-))

Duket se për disa në opozitë, problemi nuk është as rryma, as Serbia, as interesi i qytetarëve. Problemi është se çfarëdo që bën Qeveria Kurti-4, duhet patjetër të gjendet një arsye për ta kritikuar.

Kurti ndalon tregtimin e energjisë me kompanitë e lidhura me Serbinë, ndërsa opozita që për vite ishte në pushtet sot përpiqet ta shndërrojë importin e energjisë në akuzë politike. Por historia e këtij problemi nuk fillon me Albin Kurtin.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të njëmbëdhjetë, ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme në sektorin e energjisë, duke përfshirë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje pronësore apo afariste me Serbinë, shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji për 60 ditë dhe obligimin ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.

Vendimi vjen në një kohë kur opozita kosovare ka intensifikuar kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se Kosova po blen energji elektrike nga Serbia.

Por, në këtë debat politik, duket se disa kanë harruar një detaj jo fort të vogël: Kosova nuk ka filluar ta blejë rrymën nga Serbia me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet.

Opozita kosovare duket se ka zbuluar një “skandal” të ri: blerjen e rrymës nga Serbia. Por, në këtë debat politik, ka harruar një detaj thelbësor – Kosova ka importuar energji elektrike nga Serbia për më shumë se dy dekada, edhe në kohën kur vetë partitë e sotme opozitare ishin në pushtet. Ndërsa sot e përdorin këtë çështje për të goditur Albin Kurtin, historia e importeve energjetike dëshmon se kjo nuk është një praktikë e re, por një problem i trashëguar ndër vite, për të cilin përgjegjësi kanë pasur edhe qeveritë e tyre.

Ironia është se ata që për vite nuk arritën ta shkëpusin Kosovën nga varësia energjetike, sot kërkojnë llogari pse vendi ka importuar rrymë. Por faktet kanë memorie, edhe kur politika përpiqet t’i harrojë ato.

Importi i energjisë elektrike nga Serbia është një histori që daton që nga fillimi i viteve 2000, kur Kosova, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të prodhimit vendor, ishte e detyruar të siguronte energji nga jashtë për të mbuluar nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë.

Pra, për më shumë se dy dekada, Kosova është përballur me të njëjtin problem energjetik, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme kanë përdorur importin si zgjidhje për mungesën e prodhimit vendor.

Dhe kjo nuk është thjesht një deklaratë politike. Janë shifrat ato që flasin.

Sipas gazetes zvicerane LeCanton27.ch, në vitin 2014, rreth 54 për qind e importeve të përgjithshme të energjisë elektrike të Kosovës vinin nga Serbia. Kjo periudhë përkon me kohën kur në pushtet ishin qeveri të tjera, jo qeveria e Albin Kurtit.

Ndërkaq, gjatë viteve 2000–2015, Kosova ka shpenzuar mbi 538 milionë euro për importin e energjisë elektrike. Një shumë marramendëse, e cila dëshmon varësinë e gjatë të vendit nga energjia e importuar.

Sigurisht, kjo shumë përfshin importet nga të gjitha vendet dhe nuk duhet t’i atribuohet vetëm Serbisë. Por është dëshmi e qartë se problemi energjetik i Kosovës është shumë më i vjetër se qeveria aktuale.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte në nëntor të vitit 2020, kur Kosova filloi funksionimin si zonë e pavarur e kontrollit energjetik përmes KOSTT-it. Ky zhvillim ishte një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike dhe funksionimit të pavarur të sistemit të transmisionit.

Megjithatë, kjo nuk e eliminoi varësinë nga importi dhe as nuk nënkuptoi ndërprerjen automatike të të gjitha marrëdhënieve tregtare të energjisë me kompanitë serbe.

Këtu duhet bërë edhe një dallim tjetër që shpesh anashkalohet në debatet politike: blerja e energjisë elektrike nga një kompani serbe nuk është e njëjta gjë me kalimin fizik të energjisë përmes linjave të transmisionit që lidhin Kosovën me Serbinë. Janë dy procese të ndryshme, me mekanizma të ndryshëm tregtarë dhe teknikë.

Prandaj, opozita mund të kritikojë qeverinë për politikat energjetike, për mungesën e prodhimit vendor apo për kostot e importit. Këto janë çështje legjitime për debat parlamentar dhe publik.

Por, kur importi i energjisë nga Serbia paraqitet sikur të ishte një zbulim i ri apo një problem i krijuar vetëm gjatë qeverisjes Kurti, atëherë kemi të bëjmë me një përpjekje për ta shkëputur një çështje nga historia e saj reale.

Në vend se të japin llogari se çfarë kanë bërë për dy dekada për ta zvogëluar varësinë energjetike të Kosovës, disa prej atyre që dikur qeverisën vendin sot përpiqen ta shndërrojnë një problem të trashëguar në armë politike kundër qeverisë aktuale.

Dhe pikërisht këtu qëndron ironia: ata që për vite e lanë Kosovën të varur nga importi i energjisë, sot bëjnë politikë me faktin se Kosova ka nevojë për energji të importuar.

Vendimi i sotëm i Qeverisë për ndalimin e tregtimit me kompanitë e lidhura me Serbinë është një zhvillim që duhet vlerësuar në bazë të rezultateve, zbatimit dhe ndikimit në furnizimin e qytetarëve. Nuk mjafton vetëm një vendim për të zgjidhur problemin energjetik të vendit.

Por një gjë duhet të jetë e qartë: importi i rrymës nga Serbia nuk është shpikje e Albin Kurtit, as problem që lindi dje. Është një histori mbi dydekadëshe, për të cilën përgjegjësitë duhet të kërkohen edhe te qeveritë që sot janë në opozitë.

Sepse, para se ta pyesin Kurtin pse Kosova bleu rrymë nga Serbia, ndoshta opozita duhet t’i përgjigjet një pyetjeje shumë më të thjeshtë: përse nuk arriti ta bëjë Kosovën të aftë të prodhojë energjinë e nevojshme gjatë gjithë atyre viteve që ishte në pushtet?

Derniers articles