-0.7 C
Berne
vendredi 22/11/2024

Donald Trump shpallet fajtor, ish-Presidenti i parë i SHBA që dënohet nga gjykata për vepra penale

Donald Trump u shpall fajtor nga Gjykata Federale e Manhatan për të gjitha akuzat në ngarkim të tij. Vendimi në gjyqin e Donald Trump për paratë që “blenë heshtjen” u lexua në sallën e gjyqit pasditen e të enjtes.

Juria në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila tha se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin, në këmbim të heshtjes së saj.

Trump u gjet fajtor për të 34-ër akuzat ndaj tij. 11 fatura, 12 kupona dhe 11 çeqe, ishin provat kundër Trump, që përbëjnë veprimet financiare mujore të pagesave të ish-presidentit për avokatin e tij Michael Cohen. Ky i fundit i pagoi 130,000 dollarë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.

Pagesat janë bërë me qëllim që Stormy Daniels të heshtë për lidhjen që kishte patur me ish-presidentin amerikan.

 

 

Prokurorët Federalë akuzuan Trump se falsifikoi të dhënat lidhur me pagesat për ish-avokatin e tij, Cohen. “Stormy Daniels u pagua 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump të një dekade më parë”, ishin pretendimet e prokurorëve në sallën e gjyqit.

Nga ana tjetër, ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë. Trump ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me Daniels dhe thotë se pagesat për ish-avokatin e tij Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.

Donald Trump është i pari ish-president amerikan që dënohet nga gjykata.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.

Trump, 77 vjeç, pritet të apelojë vendimin.

Mediat amerikane njoftojnë se masa e dënimit për ish-Presidentit do të jepet në 11 korrik.

Çfarë rrezikon Trump?

Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet. Prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Megjithatë, dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon Trump të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.

Gjykatësi para se të shqiptojë vendimit do të duhet të marrë në konsideratë një sërë faktorësh si: mosha e Trump, e cila është 77 vjeç; ai nuk ka dënime të mëparshme (penale); ai është një ish-kandidat presidencial (ose president i ardhshëm) dhe se ka shkelur urdhrat e gjykatës për të mos komentuar në gjyq.

Trump më pas mund të përgjigjet me një ankimim, një proces që do të kërkonte shumë muaj për të përfunduar. Ekipi ligjor i Trump mund ta bazojë apelimin e tij në prova të pamjaftueshme nga dëshmia e Stormy Daniels. Derisa çështja të mbyllet përfundimisht, Trump do të jetë i lirë me kusht.

Derniers articles