7.7 C
Berne
jeudi 19/11/2026

Zvicra po hap sytë: Të huajt, përfshirë edhe shqiptarët, do të detyrohen të paraqesin dokumentet origjinale të identitetit

Këshilli Federal synon të forcojë masat kundër falsifikimit të dokumenteve, vjedhjes së identitetit dhe qëndrimit të paligjshëm në vend.

Bernë, 19 Nëntor -Zvicra po përgatit rregulla më të rrepta për identifikimin e shtetasve të huaj që paraqiten pranë autoriteteve për procedurat e para administrative. Sipas ndryshimeve të propozuara nga Këshilli Federal në Ordinancën për Pranimin, Qëndrimin dhe Punësimin (OASA), dokumentet origjinale të identitetit do të jenë të detyrueshme në kontaktin e parë me institucionet zvicerane, ndërsa kopjet nuk do të konsiderohen më të mjaftueshme, njofton gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch

Të huajt në Zvicer (pra edhe shqiptaret) tash e tutje duhet të paraqesin dokumentet e tyre origjinale…

Propozimi është hapur për konsultim publik dhe synon të rrisë sigurinë në verifikimin e identitetit të personave që kërkojnë të qëndrojnë apo të punojnë në Zvicër.

Sipas qeverisë federale, ndryshimi ka për qëllim parandalimin e rasteve të abuzimit me identitetin, përdorimit të dokumenteve të falsifikuara dhe qëndrimeve të paligjshme.

Me rregullat e reja, autoritetet kantonale dhe komunale do të kenë detyrimin të kontrollojnë në mënyrë sistematike dokumentet e paraqitura, duke verifikuar jo vetëm autenticitetin e tyre, por edhe nëse ato i përkasin personit që i përdor.

Edhe pse një praktikë e tillë zbatohet tashmë gjatë regjistrimit të të ardhurve dhe lëshimit të lejeve të qëndrimit, Berna vlerëson se dispozitat aktuale ligjore nuk e përcaktojnë mjaftueshëm qartë këtë detyrim.

Alarmi për abuzimet me dokumentet dhe lëvizjen e lirë

Nisma e qeverisë vjen pas një hetimi të zhvilluar në zyrat e regjistrimit të banorëve dhe në institucionet kantonale përgjegjëse për migracionin. Rezultatet kanë evidentuar mangësi në kontrollin e dokumenteve të identitetit të shtetasve të huaj, të cilat në shumë raste nuk janë verifikuar në mënyrën e duhur.

Shqetësimet e autoriteteve janë shtuar edhe pas alarmit të ngritur në muajin qershor nga Zyra Federale e Doganave dhe Sigurisë Kufitare (FOCB), lidhur me rritjen e abuzimeve që lidhen me lëvizjen e lirë të personave.

Sipas autoriteteve, në disa raste janë përdorur kontrata fiktive pune, kompani që nuk ushtrojnë aktivitet real dhe dokumente evropiane të falsifikuara për të siguruar leje qëndrimi në Zvicër.

Këto praktika u kanë mundësuar personave të përfshirë të kenë qasje në tregun zviceran të punës dhe, në raste të caktuara, edhe në përfitimet sociale.

Përmes ndryshimeve të propozuara, Këshilli Federal synon të mbyllë boshllëqet në sistemin e kontrollit dhe të sigurojë që procedurat e identifikimit të zbatohen në mënyrë më rigoroze në të gjitha nivelet administrative.

Derniers articles