Gjenevë / UN, 16 tetor – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka reaguar lidhur me protestat në Tiranë, duke bërë thirrje për shmangien e dhunës, uljen e tensioneve dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve, njofton nga OKB, gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Në reagimin e saj, OKB-ja thekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Gjithashtu, u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës.
Organizata nënvizon se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
OKB-ja gjithashtu thekson rëndësinë e mbrojtjes së pronës publike dhe private, si dhe të respektimit të shtetit të së drejtës.
Në përfundim, u bëhet thirrje të gjitha palëve që, përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe në ruajtjen e paqes e të stabilitetit.
Burimi: Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
