17.6 C
Berne
vendredi 2/10/2026

“Më ndihmo, po vdes!” – shqiptari hero në Zvicër, futet në veturën në flakë dhe shpëton katër të rinj

Ajdin Limoni, 53-vjeçari nga Kosova, rrezikoi jetën për të shpëtuar katër të rinj nga një automjet i përfshirë nga flakët në Wohlen të Zvicrës. Gjatë ndërhyrjes, ai pësoi djegie në duar dhe në ballë.

Bernë, 2 tetor -Një ngjarje dramatike në Wohlen të kantonit Aargau ka nxjerrë në pah guximin e shqiptarit nga Kosova, Ajdin Limoni. 53-vjeçari po kthehej në shtëpi kur vuri re një zjarr. Fillimisht mendoi se po digjej një shkurre, por kur iu afrua vendit të ngjarjes, kuptoi se bëhej fjalë për një automjet të aksidentuar, brenda të cilit ndodheshin disa persona, njofton gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch

Në një rrëfim për gazetën zvicerane 20 Minuten, Limoni ka treguar momentet dramatike të ndërhyrjes, gjatë së cilës, së bashku me persona të tjerë, arriti të nxirrte katër të rinjtë nga automjeti që po përfshihej nga flakët.

“Çfarë po prisni? Ndihmojini!”

Kur mbërriti në vendin e ngjarjes, disa persona ishin mbledhur pranë automjetit. Limoni u bëri thirrje të pranishmëve që të ndërhynin.

“Çfarë po prisni? Ndihmojini!”, kujton ai t’u ketë thënë.

Pa humbur kohë, 53-vjeçari iu afrua veturës dhe hapi derën. Brenda saj ndodheshin tre djem pa ndjenja dhe një vajzë e re, e cila ishte ende e vetëdijshme.

Pastaj dëgjoi britmat e saj.

“Më ndihmo, më ndihmo, po vdes, më ndihmo!”, kishte bërtitur vajza.

Limoni arriti të ndërhynte për ta nxjerrë atë nga automjeti, ndërsa së bashku me të tjerët u bë e mundur të shpëtoheshin edhe tre të rinjtë e tjerë.

Gjatë ndërhyrjes, ai pësoi djegie në duar dhe në ballë.

Por ajo që i ka mbetur më shumë në kujtesë nuk janë plagët, por zëri i vajzës që kërkonte ndihmë.

“Atë zë nuk do ta harroj kurrë”, rrëfen Ajdin Limoni.

Momenti kur automjeti ishte përfshirë nga flakët. Rreth orës 20:45, qendra kantonale e emergjencave mori automatikisht njoftimin për aksidentin nga një telefon celular. (Foto: Policia Kantonale e Aargaut)

Derniers articles