Bruksel, 25 Nnetor -Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian (BE) dhe i ruan marrëdhëniet e saj nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe (më shumë se 120 marrëveshje), ndërkohë që është pjesë e Zonës Shengen. Me 584 vota pro, 13 kundër dhe 60 abstenime, eurodeputetët mbështetën paketën që synon modernizimin e marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të përcjella, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch
Parlamenti Evropian i dha të mërkurën miratimin paketës së marrëveshjeve ndërmjet Zvicrës dhe Bashkimit Evropian. Mbështetja e gjerë parlamentare shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit mes Bernës dhe Brukselit.
Paketa synon të përditësojë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjerojë bashkëpunimin në tri fusha kyçe: energjinë elektrike, sigurinë ushqimore dhe shëndetësinë. Ajo mbështetet në marrëdhëniet e ndërtuara prej vitesh përmes marrëveshjeve sektoriale, të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e Zvicrës në fusha të tregut të brendshëm evropian.
Krahas paketës, sipas informacionit të përcjellë, eurodeputetët miratuan edhe raportin shoqërues mbi marrëdhëniet dypalëshe, të hartuar nga eurodeputeti francez Christophe Grudler. Përpara votimit nuk ishte paraqitur asnjë amendament për marrëveshjet apo raportin, ndërsa të dyja kishin marrë mbështetje të gjerë në komisionin parlamentar përkatës.
Miratimi në Parlamentin Evropian përbën një etapë të rëndësishme të procesit, por nuk nënkupton hyrjen e menjëhershme në fuqi të marrëveshjeve. Në Zvicër, paketa vijon të jetë pjesë e shqyrtimit parlamentar, ku diskutimet përfshijnë edhe mënyrën e miratimit të saj përmes referendumit.

