Te Zvicra rreshtohen prej kohësh krah njëri-tjetrit, për të nderuar fanellën e skuadrës përfaqësuese helvete, por në karrierën në klube, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë përballur shpesh si rivalë, pasi kanë zgjedhur të përfaqësojnë skuadra të ndryshme në liga të njëjta.
Dyshja me origjinë shqiptare e Zvicrës, pritet që të ndajë në mes edhe kryeqytetin italian, Romën, pasi verdhekuqtë po këmbëngulin shumë për të transferuar Xhakën nën urdhrat e Mourinhos, ndërsa Igli Tare ka avancuar negociatat me Liverpool për kartonin e Shaqirit.
Vetë ky i fundit, në një intervistë për mediat italiane foli me superlativa për Lazion dhe pranoi se skema 4-3-3 e loja sulmuese që Sarri aplikon, i përshtaten shumë, duke lënë të kuptohet se do të mirëpriste një transferim te klubi bardhekaltër.
Nga ana tjetër Xhaka flet në telefon çdo ditë me Mourinhon, që dëshiron t’i besojë çelësat e organizimit të lojës në mesfushë, ndërsa drejtuesit e Romës vijojnë negociatat me homologët e tyre te Arsenal, për të kompletuar sa më shpejt transferimin.
Xhaka e Shaqiri u njohën më 2001-shin, kur ishin vetëm fëmijë përkatësisht 9 dhe 10 vjeç, dhe u bënë pjesë e akademisë së Baselit, ku spikatën më pas duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane.
Verën e 2012-ës klubi i njohur zviceran shiti Shaqirin te Bayerni i Mynihut, ndërsa Xhaka u transferua gjithashtu në Bundesligë, por te skuadra e Borussia Monchengladbach, teksa të dyve tashmë u duhej të përballeshin si kundërshtarë në fushën e lojës.
Pas 6 muajsh në huazim te Interi, Shaqiri u transferua verën e 2015-ës te Stoke City në Premier League, ndërsa një vit më vonë, rrugën drejt kampionatit anglez e mori edhe Granit Xhaka, që veshi fanellën e Arsenalit.
Për 5 sezone sërish të dy janë përballur disa herë si kundërshtarë, me Xhakën si titullar i padiskutueshëm i Arsenalit dhe Shaqirin që mbeti pjesë e Stokes deri më 2018-ën dhe më pas iu bashkua klubit gjigant të Liverpoolit, me të cilin fitoi si titullin kampion ashtu edhe Ligën e Kampionëve.
Tani dy “kokat e shqiponjës kuqezi” që përfaqësojnë Zvicrën, janë gati ta sfidojnë njëri-tjetrin në Serinë A italiane dhe për më tepër, në kryeqytet, Romë, derbi i të cilit është nga më të zjarrtët në Europë e botë.