3.4 C
Berne
mardi 23/04/2024

Reagim ndaj Ahmet Qeriqit (Kosova e Lire) per censurë të pashembullt lidhur me simbolin e gjenocidit

« Fillimisht ju falënderoj për hapësirën që na keni dhënë për të sqaruar çdo gjë që lidhet me nismën që lulëkuqja të bëhet simbol i vetëm i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë! Falë mundësisë që na dhatë nisma jonë mori përmasa gjithëkombëtare dhe përkrahja erdhi nga të katër anët e globit ku ka shqiptarë.. » thuhet ne fillim te reagimit te z. Bardhyl Mahmutit, kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” drejtuar Ahmet Qeriqit, i cili ka censuruar shkrimin e tij në portalin e Radio Kosova e Lirë, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch 

REAGIMIN E Z.BARDHYL MAHMUTIT PO E JAPIM NE TERESI SI ME POSHTE:

Është plotësisht e natyrshme që për asnjë çështje që shtrohet në hapësirën publike për diskutim, nuk mund të ketë një konsensus shoqëror të 100%. E njëjta gjë ndodhi edhe me iniciativën tonë. Me aq sa jam i informuar, publikisht ka pasur tri reagime që kanë qenë kundër dhe në të tri rastet kemi dhënë sqarimet tona.

E njëjta gjë ndodhi edhe me reagimin e z. Ahmet Qeriqi, drejtues i «Radio Kosova e lirë».  Meqenëse, duke dashur të shmang polemikën, u kufizova vetëm në sqarimet që lidhen me lulëkuqen, ndërsa çështjet e tjera, që meritojnë të shpartallohen si ide tepër të dëmshme, i kam lënë për t’i përfshirë në një libër që jam duke përgatitur dhe që do të botohet brenda 2-3 muajsh.

Shkrimin me sqarimet ia dërgova redaksisë së «Radio Kosova e lirë» dhe fillimisht ata e botuan të plotë. Dy orë më vonë mora një email nga z. Ahmet Qeriqi nëpërmjet të cilit ai më njoftoi se «reagimit tim i është hequr ligjërata për gjenocidin, sepse nuk është objekt i reagimit, por është shtojcë e pavend, dhe janë hequr fotot që janë marrë si shembuj për të ilustruar të kundërtën e asaj që pohonte z. Qeriqi se gjoja «nuk ka shembuj në botë ku tmerri, gjenocidi, etnocidi, masakrat, holokausti të përjetësohen me simbole të një luleje», me arsyetim se ai ka «postuar vetëm një foto»!!!

Ka ndodhur që reagimet e dikujt të mos publikohen në mediet ku ka qenë objekt sulmi, por nuk di asnjë shembull tjetër kur ai që fillon polemikën me dikë, t’i censurojë palës tjetër shkrimin dhe t’i përcaktojë se çfarë duhet të lërë e çfarë duhet të heqë! Vërtet censurë e pashembullt!

Për këtë arsye kam kërkuar nga redaksia «Radio Kosova e lirë» që të rikthejë shkrimin tim të plotë për hir të lexuesve të saj, ose ta heqë në tërësi, sepse ashtu të cunguar në bazë të shijeve të z. Ahmet Qeriqi nuk e konsideroj për shkrim timin.

Shkrimi im nuk ka karakter polemik, por sqarues, prandaj ju lus që ta publikoni në tërësi në hapësirën tuaj mediale.

Me respekt, Bardhyl Mahmuti

SQARIM PËR AHMET QERIQIN: Përse Lulëkuqja simbol i gjenocidit?

Në të gjitha rastet që lidhen me gjenocidin, simbolet janë krijuar për hir të përkujtimit të viktimave të këtij krimi e jo për hir të atyre që kanë shkaktuar krimin. Prandaj, nuk mund të imagjinohet të përkujtohen viktimat me figura “djalli, përbindëshi, kuçedre, shtrige, Ore të Ligë, oktopodi, gjarpri, hiena, ferri, ujku apo të “vuçeve” të Serbisë”, siç propozon Ahmet Qeriqi, sepse do të ishte fyerje për fëmijët e vrarë, për ata që humbën jetën në lulen e rinisë, për gratë, pleqtë dhe shqiptarët e të gjitha moshave dhe gjinive. 

Nisma që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit ka hasur një përkrahje si asnjë iniciativë e deritashme. Sa i përket dizajnit dhe përmbajtjes së çdo detaji të simbolit që ka propozuar Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” në përkrahje të nismës janë deklaruar institucione kompetente në fushat përkatëse:

Fakulteti Juridik, sa i përket përfshirjes së dimensionit juridik të përkufizimit të gjenocidit; Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, Kolegji AAB dhe Kolegji UBT sa i përket aspektit të kritereve artistike; Departamenti i Historisë, sa i përket aspektit historik;

Akademikë, profesorë universiteti, artistë të shquar të kombit, sportist me renome, kuvendet komunale të shumicës dërmuese të komunave të Kosovës, parti parlamentare dhe jo parlamentare, shoqata, klube e kështu me radhë.

Si çdo nismë ka edhe ata që nuk pajtohen dhe është plotësisht e natyrshme që për asnjë çështje në raportet shoqërore nuk mund të ketë një konsensus të 100%. Deri tani janë shfaqur tri reagime kundër nismës sonë dhe për njërin rast e kemi parë të arsyeshme t’i jepet përgjigje.

Mirëpo, në reagimin e z. Ahmet Qeriqi të titulluar “Përse Lulëkuqja simbol i gjenocidit?” dalin disa çështje që duhet të sqarohen për hire të lexuesve të Radio Kosova e Lirë.

Fillimisht po ndalem rreth lules si simbol i gjenocidit në botë.

Në pohimet e tij, z. Qeriqi mendon se nisma jonë është rezultat i “një ideje të momentit, pa një konsultim të gjerës, sepse”, sipas tij, “nuk ka shembuj në botë ku tmerri, gjenocidi, etnocidi, masakrat, holokausti të përjetësohen me simbole të një luleje”.

Nuk e di nëse vërtet z. Ahmet Qeriqi është aq i pa informuar për simbolet që pasqyrojnë viktimat civile të gjenocideve anekënd botës, por meqenëse pohon në mënyrë kategorike se “nuk ka shembuj në botë ku tmerri, gjenocidi, etnocidi, masakrat, holokausti të përjetësohen me simbole të një luleje” po ja përmend dy raste që besoj se i janë të njohura, por që i kanë dalë nga kujtesa!

LULJA E SREBRENICËS, me 11 petale të bardha dhe me zemër të gjelbër, është lulja e cila që nga viti 2010 simbolizon gjenocidin e kryer kundër muslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Numri i petaleve simbolizon datën e krimit të gjenocidit (11 korrik 1995);

Ngjyra e bardhë e petaleve pasqyron pafajësinë e viktimave civile;

Ndërsa ngjyra e gjelbër është ngjyra e shpresës se një ditë do të ngadhënjejë drejtësia.

LULJA MOSMËHARRO, është përzgjedhur për të përkujtuar viktimat e gjenocidit që ka përjetuar populli armen në vitin 1915.

Ngjyra e zezë në zemër pasqyron të kaluarën e zezë të krimit të gjenocidit dhe kujtesën për viktimat e pafajshme të këtij krimi;

Ngjyra e verdhë pasqyron diellin e fragmentuar në 12 pjesë për të ndriçuar 12 rajonet ku janë kryer krimet monstruoze;

Pesë petalet simbolizojnë pesë kontinente ku janë shpërndarë të mbijetuarit e këtij gjenocidi.

Sikur të kishte marrë mundin të lexonte sqarimet që e kanë shoqëruar kërkesën publike të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë, z. Qeriqi nuk do të kishte shkruar se “katër petalet e kuqe kanë në mes fara të lules, të cilat mund të jenë menduar si grimca baroti” dhe ta interpretojë se “mbase dikush mund ta ketë menduar si farë që minon lulen, por kjo nuk mund të nënkuptohet nga shikuesi i saj, i ri as plak”.

Të gjithë ata mbështetës të nismës sonë e kanë lexuar se katër petalet e lulëkuqes në simbolin e dizajnuar nga Adnan Asllani paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë:

  1. Vrasje, për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive,
  2. Dhuna seksuale, për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale.
  3. Spastrimi etnik, për të përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik.
  4. Shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar

Për të përfshirë shkatërrimi në vendbanimet shqiptare i 100589 shtëpive, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).

Sa i përket “farave të lules” që z. Qeriqit i duken si “grimca baroti që mund të minojnë lulen” (!!!), i them se të gjithë ata që kanë lexuar sqarimet e shumta që kemi dhënë rreth kësaj çështjeje e dinë se në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në “zemër të lulëkuqes” tonë janë prezantuar në rreth figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi. Pasqyrimi në formë rrethi i figurave që simbolizojnë viktimat e gjenocidit është bërë për arsye se në aspektin figurativ, rrethi simbolizon bashkimin e fuqishëm të njerëzve që kanë ide të njëjta, interesa të njëjta, qëllime të njëjta…Pra qëllimi është të nxjerrim në pah domosdoshmërinë e bashkimit për të ndriçuar në përmasa botërore tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit, si parakusht i ngadhënjimit të drejtësisë. Në të kundërtën, plagët tona do të mbeten të hapura dhe vuajtjet do të jenë ciklike, pambarimisht, në këtë rreth tmerri!

Ndërsa kur kemi të bëjmë me përzgjedhjen e ngjyrave kuq e zi, disa herë është sqaruar se sipas dokumenteve të së Drejtës penale ndërkombëtare vrasjet, dhuna seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimet e shtëpive, të shkollave, të shtëpive kulturore, të bibliotekave, të institucioneve shëndetësore dhe të objekteve të kultit fetar hyjnë në kategorinë juridike të gjenocidit vetëm nëse këto vepra kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si të tillë. Pikërisht për arsye se plani gjenocidar i Serbisë synonte shkatërrimin e shqiptarëve si grup i veçantë kombëtar, etnik dhe fetar, i ndryshëm nga serbët, ne përzgjodhëm lulëkuqen, sepse ka ngjyrat kuq e zi, me të cilat identifikohen shqiptarët kudo qofshin në botë.

Reagimin tim po e kufizoj vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me nismën për simbolin e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë. Në një punim tjetër që lidhet me mohimin e gjenocidit dhe përbuzjen e përpjekjeve për të ndriçuar në përmasa ndërkombëtare krimin e gjenocidit që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës do të trajtohen edhe pohimet e z. Qeriqi se “përpjekja për ta bindur botën për gjenocidin serb në Kosovë, është e kotë, sepse askush deri sot nuk e ka akuzuar zyrtarisht Serbinë për gjenocid, e cila nuk e pranon se ka kryer gjenocid në Srebrenicë e në Bosnje-Hercegovinë e lerë më në Kosovë. Po humbin shumë kohë për t i treguar botës për një gjendje krimi  të cilën ajo nuk e beson, qoftë me lule apo me thera e driza” dhe për disa aspekte të tjera që përmban shkrimi i tij.

Bardhyl Mahmuti, Kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”

Kjo është censura të cilën shkrimit tim ia e ka bërë Ahmet Qeriqi në portalin e Radio Kosova e Lirë:

 

Derniers articles

FEDPOL: Në Zvicër janë aktive rrjete të ndryshme kriminale, veçanërisht ato me origjinë sllave. Shqiptaret janë problematik, por jo edhe mafioz

Bernë, 23 prill -Me rritjen e krimit te organizuar dhe kërcnimet e brendshme dhe jashtme (vendet limitrofe) te grupeve terroriste edhe Nicoletta della Valle,...

Lajmi i fundit nga Berna: Italishtja, nuk është më gjuhë e tretë në Zvicër. E « rrëzoi » sot anglishtja. Anglishtja, nesër në « rrezik » nga shqipja

Redaktori i gazetes zvicerane ne shqip Le Canton27.ch Nefail Maliqi ne Davos (WEF) duke folur per migracionin ju flet kolegëve për integrimin dhe sukseset...

Oskar Freysinger, në gërsherë, ju ehste nënshtruar një operacioni të madh për ish të zgjedhurin e UDC-së (SVP)

Bernë, 23 prill -Ish foshnja Valais e tmerrshme e UDC iu nënshtrua një operacioni të madh në zemër më 17 prill, në spitalin e...

Migracioni dhe krimi i organizuar, tema kyqe e takimit te djeshëm në Bazel të pesë ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve gjermanofone

Bazel, 23 prill -Me ftesë të këshilltarit federal Beat Jans, ministrat e brendshëm e pesë të vendeve me gjermanpfone si gjuhë zyrtare u takuan...

Mira Murati bëhet zyrtarisht pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Shefja e shërbimeve teknologjike të OpenAI, Mira Murati dhe poeti i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa, janë pranuar sot si anëtarë të jashtëm të...