14 C
Berne
jeudi 13/06/2024

Presidentja Osmani u prit në takim nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar vizitën dy ditore shtetërore në Shqipëri me ç`rast është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti Bajram Begaj.

Në takim me Presidentin Begaj, Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha etapat e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Presidentja Osmani ka shtuar nevojën e rritjes së koordinimit të vazhdueshëm dhe paraprak në politikën e jashtme në raport me interesat e të dy shteteve, por edhe të rajonit e me gjerë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar ta fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë më tej synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Shqipërisë.

“Kjo sfidë kërkon përkushtim dhe veprime të sinkronizuara për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Si në të kaluarën, presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në vendet dhe forumet ku ende nuk jemi pjesë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja përmendi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, NATO, BE, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare. “Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, theksoi Presidentja Osmani.

Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, përkundër sfidimit të hapur në rrafshin e sigurisë dhe institucional nga Serbia, ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dy shtete të pavarura dhe fqinje. Sipas Presidentes Osmani rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

 

Derniers articles