17.4 C
Berne
lundi 15/07/2024

Shtëpia ku rren i zoti shtëpisë, ka marrë fund

Shkruan: Hisen BERISHA

Shtëpia ku rren i zoti shtëpisë, ka marrë fund. Tradicionalisht në familjet tona që ishin “oxhaqe”, pasi kryheshin të korrat e grurit, nëse kishte mjaftueshëm, atëherë zgjidhnin në disa vende “hajrat” (kishë, teqe, xhami, apo familje të varfra) me çuar nga një sasi gruri. Përndryshe nëse nuk kishte të korrat mjaftueshëm, “atë çka se ke në shtëpi, mos e çoj as në kish as në xhami”. Po kështu njëjtë veprohej në vjeshtë kur “futej kora në kosh” e bëhej “darkën e lamës” si shenjë falënderimi Zotit për bereqetin e dhënë. Por, në ato shtëpi që, për mendjemadhësi, smirë apo “janetllëk” rrente i Zoti shtëpisë, thoshte nuk bënë me dhënë se të mallkon mundi e djersa jote.

Aty ku rren i zoti shtëpisë, ajo shtëpi e ka marrë teposhten, ka marrë fund! E thënia më epokale ishte se “me kolibar, nuk bëhet shteti”! Të tillë qeveritarë si soji i Kryeministrit, ministrat e tij deri te ky i bereqetit, që me gjuhën e shifrave të personazheve të Orwellit, po përpiqen të na mashtrojnë ditën për diell. Dhe për ta bërë gënjeshtrën më bindëse, deklaratën e bën për një gazetë kantonale në gjuhën shqipe në Zvicër – “Le Canton 24”. Por, nga kolibarë të rritur në banesa dhe të varur nga të ardhurat mujore duke jetuar me recetë, shteti nuk bëhet. Me njerëz pa ndjenjën e pronës dhe përkatësisë pronësore, që i bën të padinjitet e hipokritë, pra tipik të majtë social, nuk mund të ndërtohet shteti as mirëqenia qytetare, aq më pak të zhvillohet një shtet kapitalist. Me siguruar bukën e motmotit në shtet, është shumë e lehtë të konstatohet, mjafton të kalkulojmë sasinë e tokës së punës që mbillet. Pastaj brenda kësaj sasie të tokës që punohet, sa mbillet grurë si produkti kryesor i “bukës së motmotit”.

 Nëse me regjistrimet e vitit 1981 deri në vitin 1990, në fakt deri në regjistrimin e fundit, Kosova siguronte bukën vetë 40%, duke i mbjellë të gjitha kapacitetet tokësore, atëherë, siç e kam dëgjuar duke qenë dëshmitar i takimit të ish-Presidentit Rugova me shefin e USAID-it, pas lufte, Kosova siç i deklaroi Presidenti, nga ato kapacitete të tokës së bukës, i ka mangut edhe 20%, për shkak të ndryshimit të destinacionit të tokës dhe degradimit të saj, nga ajo bujqësore në ndërtime banimi, depo, hotele e restorane, magazina e auto sallone e servise, qendra rekreative, përkatësisht degradimi i sipërfaqeve të tëra të tokave të ish-koperativave bujqësore e kombinateve industriale, që mbillëshin me drithra, apo ato që ishin vreshta, sot janë kthyer prapë në male-rrahishta, shkurre, e çka jo tjetër.

Kjo ka ndodhur kryesisht në tokat e mbjelljes së bereqeteve në zonën e Anadrinisë, e Dukagjin, rrafshin e Kosovës, e Vushtrrisë. Veç nga Kroi i Mbretit deri në Orllat për Malishevë i kam numëruar 27 pika karburanti. Të gjitha janë ndërtuar në tokën e bukës që mbillëshin drithëra dhe ishin nën sistemin e ujitjes së Lepencit. Pra, deklarata e Ministrit të Bujqësisë që siç thoshte Gjeneral Naim Maloku, “mund ta ketë parë figurën e lopës në paketim të qumështit”, janë gënjeshtër, dhe mund të konstatoj diçka të tillë, vetëm nëse llogarit në import. Pra sipas ASK, për mbulimin e këtyre mungesave kryesisht në produkte të konsumit, Kosova nxjerr jashtë vendit për import 16 milion euro çdo ditë, apo mbi 480 milion në muaj. Kurse në emër të subvencionimit të bujqësisë për vitin 2023 janë deklaruar 260 milion dhe shtrohet pyetja, cili është efekti, nëse i referohemi të dhënave të importit nga ASK.(tabela). Ku dominon ai nga Serbia për drithëra (grurë) që marrim nga depot e rezervave shtetërore të Serbisë, të ruajtur me vite, që Serbia e përdor për t’i ushqyer derrat e kafshët, për ta zëvendësuar me grurë të ri. Ketë “favor” nuk na e bën pse brengoset për siç thonë ata ”qytetarët e provincës jugore” por nuk e tregton dot në vende tjera, sepsr ja rritë koston dhe pakson fitimin, ndërkohë që qeveritarët tanë jugonostalgjikë, zgërdhihen duke i falënderuar e duke i injoruar vetën e komunitetin që i takojnë me deklarata si, “hajt se mirë, e hanë shqiptarët”.

Po rren ministër Peci, se Kosova jo vetëm që se ka siguruar bukën e motmotit, por ende nuk e ka mbuluar “gropën” në rezervat e shtetit në grurë, (pa hyrë në artikuj tjerë) që i keni vjedhur me aferat korruptive për të cilat po e bllokojnë hetimin parlamentar me sabotim të komisioneve dhe atë policor e prokurorial, duke i shkarkuar hetuesit apo mos dekretuar prokurorët e zgjedhur. Në vazhdim ja disa statistika të importit sipas ASK (Agjencioni të Statistikave të Kosovës), të cilat dëshmojnë se, gjatë tri viteve sa është Ministër i Bujqësisë, Faton Peci, importi i grurit nga jashtë, është rritur dhe këtë në vitin 2023 janë importuar mbi 140 mijë kg, ndërsa në vitin 2022 ishte importuar mbi 104 mijë kg. Po aq ishin importuar edhe në vitin 2021 e ‘20. Por, sipas statistikave që i disponojnë komitetet e LVV, e të cilave ju referohet Ministri Peci, Kosova konsumon mesatarisht 260 mijë tonë grurë në vit, ndërsa rendimenti i këtij viti është “së paku 300 mijë tonë grurë të prodhuar”. (Kjo logjikë teknike e të menduarit nuk është e rastit. Me të njëjtin standard i bënë edhe vlerësimet në fushën e sigurisë e mbrojtjes, kur u dha pëlqimi i DASH për mundësinë e furnizimit me “Javelin”, e këta kalkulonin se, “Serbia posedon 260 tanke, ne i godasim me 260 Javelin dhe kaq e ka lufta”).

Tani kur i referohen punës së bujqve që e kanë blerë litrin e karburantit për makineri bujqësore me çmim të njëjtë si unë për X5, apo farmerëve që po detyrohen ta ndalin grurin e drithërat nga prodhimi për të ushqyer kafshët në ferma, ngase po ta dorëzojnë duhet ta blejnë me çmim më të shtrenjtë, prandaj edhe nuk e dorëzojnë e si pasojë nuk subvencionohen pasi detyrohen të mos e deklarojnë sasinë e grurit, për të cilën subvencionohen për rendiment e jo sipërfaqe të mbjella, shto kësaj edhe çmimet enorme për farërat që nuk janë subvencion por blihen, plehrat e pesticidet, vetëdemantohet tërësisht në gënjeshtrën që na e tha Ministri me rrotulla kah Zvicra, ngase mediat vendore nuk do t’ia lejonte etika gazetareske ta publikojnë këtë informatë të rreme. Kurse për përfoljet e këtij dikasteri ministror, ashtu siç i të gjithë tjerëve, ka vend për analiza dhe penalizim, për korrupsionin dhe keqpërdorimet me subvencionet, (meqë qeveritë e kaluara nuk i kanë mbështetur, e sot ju ka “ardhur dita” të vjedhin këtë vend, siç janë edukuar gjatë punës në administratën e UNMIK, jo si perceptim, por duke i shpenzuar çdo vit nga mbi tre miliardë buxhet, pa asnjë efekt në zhvillim), pastaj afera e prillit të këtij viti, “skandali” me cilësinë e mishit, falsifikimi i dokumentacionit me inspektorët e shtetit, etj.

Pra, e tërë kjo është propagandë me gjuhën e shifrave për të mbuluar krimin e organizuar dhe korrupsionin me buxhetin e shtetit nga djersa e qytetarëve, përmes të cilave dhe jo vetëm, u munduan ta mbulojnë keqpërdorimin e suficitit buxhetor apo buxhetin e pa shpenzuar të vitit 2022 në vlerë prej 800 milion sa u raportua në tetor nga BQK, deri një miliard euro, dhe të vitit 2023 i cili është mbi një miliardë euro. Këtë mashtrim e demantojnë shumë fakte statistikore, siç është e dhëna se e kanë marrë qeverinë me gjithsej 363,200 të punësuar në vitin 2019, dhe vetëm në shkurt të vitit 2023 kishim rënie në 355,560 pra kishim një rritje të papunësisë për 7,640 të papunë. Apo e dhëna tjetër statistikore e ASK, numri i të punësuarve kontributdhënës kur e morën qeverinë ishte 700,000, e tani është vetëm 380,000. Pra i kemi mbi 400 mijë të papunë. Ketë e konfirmojnë të dhënat nga regjistrimi i fundit ku nëse Kosova ka pasur me regjistrimin e vitit 2011, gjithsejtë popullsi rezidente 1.78 milion, ndërkohë që kemi pasur një shtim natyral mesatar prej 25,000 lindjesh në vit, që i bie 25,000 x 23 vite = 575,000 lindje.

Pastaj mortaliteti  8,500/për vit, i bie që për 23 vite zvoglimi i  popullsis kosiderohet të jetë prej 195,500. Atëherë, i kemi 575,000 – 195,500= 379,500. Do të thotë se Kosova është dashur ti ketë rreth 380,000 banorë më shumë nga viti 2011.    Pra, nga gjithsej 1,780,000 banorë sa ka pas në regjistrimin e fundit, tani duhet të jenë mbi 2 milion banorë apo: 1,780,000 +380,000= 2,160,000.   Nëse me këtë regjistrim del se popullsia e përgjithshme është 1.6 milion atëherë kemi minus 560,000 banor. Kjo i bie se nga Kosova kanë ikur për këto vite 560,000 banorë. Pra po rezulton se i kemi shtyrë në migrim jashtë vendit, duke ua vrarë shpresat dhe përspektiven 560 mij qytetarë.   Prandaj gënjeu edhe zv. kryeministri , e kryenegociator i vrasjes së shpresave e perspektives së qytetarëve të Kosovës, kur tha se kemi “rënie impresionuese të papunësisë” , a në fakt kemi “ikje tragjike të popullsisë” apo të rinjëve dhe atë më përgatitje universitare.  Sa i përket deficitit tregtar ka kapur shifra marramendëse. Viti 2023, është mbyllur me disbalanc të thellë në mes eksportit të produkteve vendore dhe importit të produkteve të huaja, ku importi ka arritur vlerën rreth 5,9 miliardë, përderisa, eksporti i mallrave vendore, ka mbetur në vlerën prej 863.1 milion euro. Kryesisht janë mallrat e konsumit, çka i demanton deklaratat për subvencionim në bujqësi.

Kështu që shporta familjare që para katër viteve ishte 50% më e varfër se në rajon, sot është trefish më e varfër, ndërkohë që pensionet kanë mbetur në nivelin e njëjtë si para katër apo gjashtë viteve, 100 deri 200 euro, përkatësisht më të ulëtat në rajon. Shto kësaj edhe rënien e fuqis blerëse e pmimeve të larta pa tavan. Pra, janë pikërisht këta që para se të vinin në pushtet i krijuan vendit imazh të keq, për krim e korrupsion, edhe pse realisht kishte luftim të krimit e korrupsionit, tani vet Kryeministri po hesht e po i mbron të korruptuarit në të gjitha dikasteret si në diplomaci, në KEK, në Ministrinë e Tregtisë, Infrastrukturës, në drejtësi, etj.? Azëhetë, Kryeministri mund t’i heshtë aferat inteligjente rreth (pa)pastërtisë së figurës së vet deri sa të bëhet VETINGU apo të miratohet Ligji i Lustracionit, por s’mund ta mbulojë korrupsionin e krimin e organizuar nga qeveritarët e tij. Pra duhet të tregojë sa para i janë deponuar në kontot e tij në Norvegji? Sa villa i janë blerë në Greqi? Përndryshe ku janë paratë e popullit Albin, 14.133 miliardë buxhet për një mandat plus? Nuk po shihet askund efekti i këtyre miliardave të shpenzuara.

Derniers articles