20.4 C
Berne
jeudi 13/06/2024

Kosova dhe Katari diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit në fushën sociale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad.

Sipas njoftimit për media, Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës.

Më tej, Osmani ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese”, thuhet në njoftim.

Në takim, ndër të tjera, u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave.

Të dy bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta, nga të cilat do të përfitojnë të dyja shtetet.

Derniers articles